FAKULTETET
Facebook
Twitter
Youtube
Historia e degës së Inxhinierise Elektronike fillon qysh prej viteve ´60, me formimin e Katedrës së Elektronikës, si pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë. Në vitin 1994 u krijua Departamenti i Elektronikës, dhe dega e Elektronikës u organizua në tre drejtime: Automatikë, Kompjutera dhe Telekomunikacion. Në vitin 2007 u krijua Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (nga bashkimi i strukturave ekzistuese: Departamenti i Elektronikës, Instituti i Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar dhe Seksioni i Informatikës).
Programet e studimit të FTI-së ofrojnë njohuri në fushat e arkitekturën e sistemeve të telekomunikacioneve, teknikave numerike dhe analoge të përpunimit dhe transmetimit të sinjaleve multimediale, sistemet satelitore, sistemet me fibra optike, protokollet e transmetimit të të dhënave, rrjetat e kompjuterave, rrjetat me sensorë, rrjetat ad-hoc, arkitekturën e sistemeve të përpunimit, strukturën e bazave të të dhënave, sistemet e shperndarë, inxhinieria e softuerit, teknologjitë Web, elementët bazë të sistemeve elektronike, projektimin e elementëve përbërës të sistemeve elektronike, aplikimet e sistemeve elektronike në industri, etj.
Në vitin 1951 themelohet Instituti Politeknik në Tiranë. Në të bënte pjesë dhe Fakulteti Elektroteknik.
Në vitin 1953 filloi sistemi pa shkëputje nga puna për përgatitjen e Inxhinierëve Elektrik. Në vitin 1954 miratohet Fakulteti Elektroteknik dhe katedrat e para të tij. Më 16 Shtator 1957 themelohet Universiteti Shtetëror i Tiranës që përfshiu Institutin Politeknik me katër degë. Në vitin 1983, Fakulteti i Inxhinierisë ndahet në dy fakultete: Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike (FIME) dhe në atë të Inxhinierisë Ndërtimit (FIN).
Në vitin 1991, ish Universiteti Shtetëror i Tiranës(USHT) ndahet në dy Universitete: Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT) që fiton statusin e një universiteti publik të pavarur i cili kishte në përbërjen e tij fakultetet inxhinierike që u shkëputën nga (USHT) me 4 fakultete, ndër të cilët Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike me dy departamente, Elektrik dhe Elektronik. Në vitin 1996 miratohet nga MASH, Shkolla e Edukimit në Distancë. Në vitin 2008, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike (FIE) ndahet në dy fakultete: Fakulteti i inxhinierisë Elektrike dhe Fakulteti i Inxhinierisë Informacionit.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike është e para shkollë e lartë në Shqipëri për përgatitjen e specialistëve të lartë në fushat e mekanikës, metalurgjisë dhe materialeve dhe tekstil modës.
Përgatitja e specialistëve të lartë të inxhinierisë mekanike në Shqipëri daton që nga viti 1951, në degën e inxhinierisë mekanike, e cila ka qenë pjesë përbërëse e Institutit të Lartë Politeknik, deri në vitin 1957, vit në të cilin me krijimin e Universitetit të Tiranës u bë pjesë përbërëse e tij. Deri në vitin 1991, vit në të cilin krijohet Universiteti Politeknik, dega e Inxhinierisë Mekanike ishte pjesë përbërëse e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike formësohet si njësi e pavarur e Universitetit Politeknik në vitin 1991. Në vitin 1999 u bë edhe riorganizimi i FIM, ashtu si është aktualisht.
Tradita që mbart sot Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës daton që me fillimet e studimeve universitare në Shqipëri. Sot, pas pothuajse gjysëm shekulli histori, FAU vazhdon të jetë lider i edukimit dhe kërkimit në Arkitekturë dhe Urbanistikë. Në vitin 1951 u krijua Instituti Politeknik i Tiranës. Kjo datë shënon edhe fillimet e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Në atë kohë, në strukturën e Institutit të Lartë Politeknik bënin pjesë tre drejtime: Ndërtim, Mekanik dhe Elektrik. Në vitin 1957, Instituti Politeknik shndërrohet në Universitetin e Tiranës.
Pranë këtij universiteti u strukturua Fakulteti i Inxhinierisë në përbërje të të cilit ishte edhe Dega Ndërtim. Fillimisht, studentët formoheshin në këtë degë si inxhinierë, e më vonë me titullin Inxhinier – Arkitekt. Për herë të parë në vitin 1969 filluan studimet për Arkitekturë, që në vitin e parë. 24 studentët e parë u pranuan pasi kaluan një konkurs pranimi. Ky ishte brezi i parë me titullin Arkitekt që u diplomua në vitin 1974. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit u krijua ne vitin 1983, në kuadrin e Universitetit të Tiranës. Dega Arkitekturë u bë pjesë e këtij fakulteti. Në vitin 1984, Katedra e Urbanistikës u nda nga ajo e Arkitekturës. Në vitin 1993 u krijua Departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili ishte funksional deri në fillim të vitit 2013. Në Janar të vitit 2013 u krijua Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës. Sot, ky fakultet ofron një paketë të plotë akademike me studime në të treja ciklet.
FIN është një nga fakultetet më të vjetra dhe më me eksperience në arsimin e lartë shqiptar. Ai është themeluar më 1951 si Degë Ndërtim në kuadër të Institutit të Lartë Politeknik të Tiranës dhe më vonë pjesë e Universitetit të Tiranës. Në vitin 1983 Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit u krijua si njësi më vete në përbërje të UT-së.
Që prej krijimit të Institutit Politeknik e deri më sot, FIN si njësi kryesore e UPT-së, i ka dhënë vendit një histori suksesi. Veprat më të mëdha dhe të rëndësishme në fushën e ndërtimit dhe arkitekturës mbajnë vulën e mendimit të përparuar dhe shkencor te inxhinierëve dhe arkitektëve të formuar në auditorët e FIN.
Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike është një fakultet i ri i cili ofron një të ardhme të sigurtë. Formim bazë dhe të avancuar të shkencave inxhinierike si në shkencat kompjuterike, fotonike, elektronike, optike, automatizim dhe telekomunikacion.
Programet e diplomave që lëshojnë departamentet përkatëse janë të njëjta me programet e Universitetit Politeknik të Milanos. Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet përkatësisht diplomë e nivelit të dytë, DND, në Inxhinieri Matematike dhe Inxhinieri Fizike.
Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, është shkolla e parë e lartë në Shqipëri për përgatitjen e specialisteve për të gjitha degët e shkencave të industrisë minerare. Drejtimet e përgatitjeve të specialisteve në këto shkenca kanë pasur si qëllim zhvillimin e gjeologjisë në të gjithë drejtimet e saj; specialisteve të minierave për hapjen, përgatitjen dhe shfrytëzimin e vendburimeve të mineraleve të dobishëm dhe drejtimin e shpimit dhe prodhimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit.
Përgatitja për herë të parë e këtyre drejtimeve të reja shkencore në vendin tonë, kërkonte edhe zhvillimin brenda shkollës të disa specialiteteve të ngushta e të veçanta, të cilat u rritën dhe u zhvilluan me shpejtësi krahas zhvillimit dhe rritjes së Fakultetit.
Fakulteti filloi të përgatitë specialistë që i përgjigjeshin kërkesave të zhvillimit të industrisë minerare. Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave u formua dhe u zhvillua në kuadrin e Institutit të Lartë Politeknik të Tiranës dhe Fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës. Mbi këtë bazë, drejtimi i përgatitjes së studenteve ka qënë dhënia e titullit “Inxhinier” për të gjitha specialitetet që përgatiteshin. Kjo lidhet me formimin e thellë inxhinierik të planeve e të programeve mësimore. Ky drejtim vazhdon të jetë edhe sot.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit është një njësi kombëtare kërkimore shkencore që vepron nën ombrellën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Misioni i Institutit të Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit është përmirësimi i kërkimit shkencor në fushën e gjeoshkencave në Shqipëri nëpërmjet: Kryerjes së kërkimeve shkencore dhe aplikative;
Udhëheqjes në procesin arsimor të studentëve dhe studiuesve të rinj; Ndërmarrjes së shërbimeve me të tretë në fushat e sizmologjisë, burimeve natyrore, gjeoriskut, gjeologjisë, ujit dhe mjedisit
Shko në faqen e IGJEUM
Kriteret e Pranimeve në UPT
Universiteti Politeknik i Tiranës synon të bëhet qendra më e shquar e arsimit universitar, pasuniversitar, e kërkimit dhe e trajnimit për përgatitjen profesionale dhe shkencore të specialistëve të fushës së inxhinierisë/arkitekturës.
Twitter
Facebook-f
Dribbble
Youtube
Pinterest
Medium