1 Tetor 2025
Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkruan marrëveshjen për programin e mbështetjes dhe përgatitjes profesionale të studentëve. Ky program do të mundësojë zhvillimin e praktikave të paguara të punës për studentët e këtij universiteti, duke ofruar mundësinë që ata të përfshihen në projekte konkrete, të njohin nga afër proceset e zhvillimit të infrastrukturës dhe të zhvillojnë aftësi të nevojshme për tregun e punës.
Ky program synon të përmirësojë mundësitë për studentët dhe të krijojë një lidhje më të fortë mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës, duke përfshirë gjithashtu një fokus të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në fushat inxhinierike.
Në fjalimin e tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe universiteteve për të siguruar mundësi konkrete për studentët, duke u ofruar atyre mundësinë për t’u integruar në tregun e punës që nga faza e studimeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Znj. Belinda Balluku, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Prof. Dr. Akli Fundo, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës.


