Rektor i Universitetit të Tiranës, 1957-1961
Akademik Zija Këlliçi lindi në vitin 1919, në Tiranë. Në vitin 1939 filloi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Torinos, Itali, të cilat i ndërpreu në vitin 1942, për të marrë pjesë në Luftën Nacional-Çlirimtare. Në vitin 1945 vazhdoi dhe përfundoi studimet në Moskë. Pas kthimit në Shqipëri, punoi në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, në ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Yzberisht dhe Zv.Ministër i Ndërtimit. Në vitin 1952 kaloi në arsimin e lartë. Ka qenë Drejtor i Institutit të Lartë Politeknik në vitet 1952-1957. Ka qenë Rektori i parë i Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitet 1957-1961 dhe Përgjegjës i Katedrës së Rezistencës të Materialeve në vitet 1962-1982. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1950-1970. Akademik Zija Këlliçi u nda nga jeta në vitin 1982.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1961–1970
Prof. Kahreman Ylli lindi më 22 prill 1917, në Leshnjë të Skraparit. Në vitin 1935 kreu Normalen e Elbasanit dhe një vit më pas punoi mësues në Zaloshnjë të Skraparit. Ndoqi Akademinë Pedagogjike të Lionit në vitet 1936-1938. Në vitet 1938-1939 ka qënë drejtor shkolle në Peshkopi. Në vitet 1939-1941 punoi mësues në Elbasan. Në vitet 1941-1942 punoi drejtor shkolle dhe inspektor arsimi në Korçë e Gostivar. Në vitet 1944-1946 punoi drejtor personeli në Ministrinë e Arsimit dhe në Kryeministri. Në vitet 1946-1949 kreu detyrën Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Francë. Në vitet 1946–1952 kreu detyrën Ministër i Arsimit. Në vitet 1952-1961 kreu detyrën Zv.Ministër i Arsimit. Ka qenë deputet i Skraparit në gjashtë legjislatura dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vitet 1961-1970 kreu detyrën Rektor i Universitetit të Tiranës. Prof. Kahreman Ylli u nda nga jeta më 3 shtator 1975.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1970-1972
Prof. Jorgji Sota lindi në janar 1919, në Fier. Qysh në moshë të re do të dallohej si një ndër pjesëmarrësit dhe drejtuesit aktivë të Rezistencës Antifashiste në Fier e Mallakastër.
I tillë do të vazhdonte të ishte edhe gjatë periudhës pas çlirimit, duke shërbyer në postet e larta lokale, por edhe si deputet në Kuvendin Popullor. Në vitet 1970-1972, pas një pune të gjatë si nëpunës dhe drejtues institucionesh arsimore, dha kontributin e tij të vyer edhe në Universitetin e Tiranës, si Rektor.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1972-1974
Ing. Agim Mero lindi në qytetin e Gjirokastrës, më 21 mars 1933. Në vitin 1948 përfundoi arsimin 7-vjeçar në qytetin e lindjes dhe më pas vijoi studimet në Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, të cilat i përfundoi në vitin 1952. Në vitet 1952-1957 kreu studimet e larta në Institutin Politeknik, Tiranë dhe u titullua Inxhinier Ndërtimi. Pas diplomimit, u emërua pedagog. Në shkurt të vitit 1972 u emërua Rektor i Universitetit Shtetëror në Tiranë, detyrë që e kreu deri në korrik të vitit 1973. Ka qënë deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1966-1974. Në vitet 1992–2005 ka qenë Drejtor i Arkivit Teknik të Ndërtimit. Prej vitit 2005 është Kryetar i Forumit Joqeveritar për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës për Gjirokastrën.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1974-1975
Inxhinier Perikli Prifti lindi më 12 korrik 1934, në qytetin e Durrësit. Arsimin fillor, shtatëvjeçar dhe të mesëm i ka kryer në qytetin e lindjes. Në vitin 1958 filloi studimet e larta në Institutin e Naftës, Moskë dhe i ndërpreu në vitin 1961. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Gjeologji-Miniera dhe u diplomua inxhinier për shpimin e puseve të naftës dhe gazit. Në vitet 1974-1975 u emërua Rektor i Universitetit të Tiranes, si edhe Pedagog në Fakuletitn e Gjeologji-Miniera.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1975-1981
Prof. Dr. Petrit Radovicka lindi në tetor 1920, në Leskovik. Pasi kreu gjimnazin në Tiranë, në vitin 1939 filloi studimet universitare në Institutin Politeknik në Torino, Itali. Në vitin 1942 ndërpreu studimet dhe u kthye në Shqipëri, për të marë pjesë në Luftën Nacional-Çlirimtare. Në vitet 1945-1950 studioi në Institutin Energjitik, Moskë dhe pas përfundimit të studimeve u diplomua Inxhinier Hidroenergjitik. Në vitin 1950 u emërua në detyra të rëndësishme, si inxhinier hidroenergjitik, drejtuesi i parë i Kombinatit Energjitik, drejtues i grupit të projektimit të hidrocentralit të Selitës, Zv.Ministër i Industrisë (1951). Ka drejtuar, që nga krijimi, Katedrën e Centraleve (Sot Departamenti i Sistemeve Elektrike të Fuqisë), në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, deri në vitin 1990 kur doli në pension. Ka kryer detyrën Zv.Rektor i Universitetit të Tiranës në vitet 1965–1968 dhe Rektor i Universitetit të Tiranës në vitet 1975–1981. Në vitet 1972–1980 ka kryer detyrën Zv. Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe në vitet 1981-1985 ka kryer detyrën Kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës. Prof. Dr. Petrit Radovicka u nda nga jeta në vitin 1991.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1981-1988
Prof. Dr. Osman Kraja lindi në vitin 1930, në Stamboll. Pas shkollës fillore, në vitin 1949 kreu gjimazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Studimet e larta për matematikë i kreu në Universitetin e Varshavës, Poloni. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin “Lomonosov”, Moskë. Karrierën e mësimdhënies e filloi në gjimnazin “Qemal Stafa”. Ka dhënë kontribut të rëndësishëm në vendosjen e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës. Ka ushtruar funksione të larta në Universitetin e Tiranës, fillimisht Zv.Rektor dhe më pas Rektor, në dy mandate, 1981-1988. Në vitet 1997-2002 ka kryer detyrën Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Poloni, Lituani, Letoni, Estoni dhe Ukrainë. Për kontributin e tij në këtë fushë, nga autoritetet polake emërohet President nderi i Shoqatës Poloni-Shqipëri.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1988-1991
Profesor Nikolla Konomi lindi në fshatin Zvernec të Vlorës në vitin 1940. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitet 1961-1966, ku u diplomua Inxhinier Gjeolog. Në vitin 1971 emërohet Pedagog pranë Katedrës së Gjeologjisë së Naftës dhe Hidrogjeologjisë. Në vitin 1984 emërohet Pedagog në Katedrën e Hidrogjeologjisë dhe të Gjeologjisë Inxhinierike të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave të Universitetit të Tiranës. Gjate viteve 1973-1974 kreu studimet pasuniversitare pranë Shkollës së Lartë Kombëtare të Gjeologjisë, në Francë, në fushën e dinamikës dhe vetive fiziko-mekanike të shkëmbijve. Ka qënë Dekan i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në vitet 1983-1988, Rektor i Universitetit të Tiranës në vitet 1988-1991, si dhe Përgjegjës i Katedrës së Hidorgjeologjisë dhe të Gjeologjise Inxhinierike të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave të Universitetit të Tiranës.
Rektor i Universitetit të Tiranës, 1991-1995
Profesor Gëzim Karapici ka lindur në Tiranë më 3 qershor 1944. Përfundoi studimet e larta për Inxhinieri Elektrike në vitin 1967. Në vitin 1971 u emërua në Katedrën e Centraleve Elektrike të Fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës. Në vitet 1979-1982 kreu në Milano studimet pasuniversitare në fushën e automatikës. Në vitet 1989-1991 ushtroi detyrën e Dekanit të Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1991-1995 mbajti detyrën e Rektorit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në vitin 2003 u rizgjodh Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Universitetin Politeknik. Këtë detyrë e mbajti deri në vitin 2005, kur u zgjodh Deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, 1995-1997
Profesor Emil Lamani ka lindur në Tiranë më 6 nëntor 1952. Kreu studimet e larta për Inxhinieri Mekanike, profili Teknolog, pranë Fakultetit të Inxhinierisë, në Universitetin e Tiranës në vitet 1971-1976. Në 1976-1980 ka punuar si inxhinier në kombinatin metalurgjik Elbasan. Në vitin 1980 vioji punën në Universitetin e Tiranës, në Katedrën e Teknologjisë së Metaleve. Në vitet 1991-1994 ka qënë anëtar i Këshillit Shkencor në Fakultetitn e Inxhinierisë Mekanike. Ka qenë Përgjegjës i Katedrës së Teknologjisë së Metaleve në vitet 1992-1994 dhe Përgjegjës i Seksionit të Teknologjisë së Materialeve në vitet 1995-1999. Ka qënë Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës në vitet 1995-1997; anëtar i Senatit Akademik të Universitetit në vitet 1995-1998 dhe pedagog në Universitetit Politeknik të Tiranës, në Departamentin e Prodhimit dhe Menaxhimit në vitet 2007-2011.
Rektore e Universitetit Politeknik të Tiranës, 1997-2003
Prof. Tamara Gjoka Eftimi ka lindur më 13 Gusht 1946. Ka kryer studimet në arkitekturë, planifikim urban, pranë Fakultetit të Inxhinierisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 1969. Punoi pedagoge në lëndën e Dizajn Arkitektonik dhe Fizikë Mjedisore, në Departamentin e Planifikimit Urban dhe Arkitekturës, në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Universitetin Politeknik të Tiranës. Është nderuar me disa çertifikata kualifikimi në Francë dhe ka përvojë në projektim ndër-institucional dhe ndërkombëtar, në planifikim dhe dizajn. Ka mbajtur titullin Kalorës i Palmave Akademike, akorduar nga Ministri Francez i Kulturës. Ka qënë Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, në vitet 1997-2003. Prof. Tamara Gjoka Eftimi u nda nga jeta në vitin 2015.
Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, 2003–2008
Profesor Perparim Hoxha lindi në Përmet më 12 dhjetor 1951. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës si Inxhinier Gjeolog në vitin 1974. Në vitet 1974-1979 ka qenë Inxhinier në Minierën e Kromit, Bulqizë. Në vitet 1979-1989 ka qenë Inxhinier pranë Institutit të Studimeve të Veprave të Kullimit dhe të Ujitjes. Në vitet 1989-1997 ka qenë Pedagog pranë Katedrës së Gjeologjise Inxhinierike dhe Hidrogjeologjise. Në vitet 1997–1999 ka qenë Zv. Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës. Në vitet 1999-2003 ka qenë Drejtor i Agjensisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë. Në vitet 2008–2016 ka qenë Dekan i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Në vitet 2003–2008 ka qenë Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës. Në vitin 2016 është emëruar Pedagog pranë Departamentit të Gjeologjisë së Zbatuar, Mjedisit dhe Gjeoinformatikës.
Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, 2008–2016
Lindi në Cerkovinë të Vlorës, më 10 tetor 1952. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Halim Xhelo”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë, dega mekanike, profili teknolog. Pas diplomimit, punoi inxhinier mekanik teknolog në uzinën mekanike “Kastriot Muço“, Vlorë në vitet 1977–1980. Emërohet asistent në Katedrën e Teknologjisë së Metaleve të Fakultetit të Inxhinierisë, dega mekanike në vitin 1980. Emërohet Drejtor i Departamentit të Teknologjisë Mekanike në vitin 1993. Zgjidhet Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në vitet 2003–2007. Në vitin 2008 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitet 2008–2012 zgjidhet Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe rizgjidhet në vitet 2012–2016.
Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, 2016 e në vijim
Prof. Dr. Andrea Maliqari ka lindur në 1 Dhjetor 1963, në qytetin e Korçës. Ka përfunduar studimet universitare, në vitin 1987, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, dega Arkitekturë. Ka kryer kualifikime shkencore dhe mësimdhënie në disa universitete të huaja si në Francë, Itali, Spanjë, Maqedoni. Ka një eksperiencë në mësimdhënie mbi 33 vjecare si asistent dhe më pas si pedagog dhe profesor i disiplinave të projektimit me kompjuter në fushën e arkitekturës dhe të ndërtimit pranë UPT. Ka fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në fushën e projektimit me kompjuter në arkitekturë dhe urbanistikë në vitin 1993. Në vitin 1998 ka fituar titullin akademik “Professor i Asociuar” dhe aktualisht mban titullin akademik “Profesor”. Aktiviteti i tij kërkimor-shkencor është orientuar drejt metodologjisë së projektimit me kompjuter në arkitekturë dhe urbanistikë, si dhe në përdorimin e teknologjisë digitale dhe aparatit matematik dhe informatik në projektimin arkitektonik dhe urban. Ka drejtuar Departamentin e Arkitekturës dhe Urbanistikës gjatë periudhës 1993-2003. Në vitet 2008-2013 ka qenë Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Në vitet 2013-2016 ka qenë Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikes të UPT. Në muajin Prill 2016 është zgjedhur Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës.