UPT ofron programe studimi të ciklit të tretë “Doktoratë” në bazë të projekteve kërkimore-shkencore dhe të zhvillimit të njësive bazë dhe kryesore. Këto programe realizohen në koordinim me veprimtari të kërkimit të grupeve kërkimore brenda njësisë bazë, njësive kryesore dhe UPT-së.
Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit. Drejtuesit shkencorë të doktorantëve në Universitetin Politeknik të Tiranës mbajnë të gjithë titullin “Profesor” ose “Profesor i asociuar”.
Programet e ciklit të tretë “Doktoratë” në UPT, i përkasin nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kuali-kimeve dhe zhvillohen me kohë të plotë apo me kohë të zgjatur pranë njësisë bazë/kryesore. Kohëzgjatja normale e këtyre programeve studimi është 3-5 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor” në fushën përkatëse të studimit.
Administrimi i studimeve të Doktoratës të ofruara pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, realizohet nëpërmjet “Rregullores së studimeve të Doktoratës në UPT”. Kjo rregullore zbatohet në njësitë bazë/kryesore dhe Këshillat e Profesorëve të njësive kryesore të UPT-së.
Universiteti Politeknik i Tiranës ka ngritur Komisionin e përhershëm për dhënien e gradës shkencore “Doktor” pranë çdo njësie kryesore të tij. Komisioni i përhershëm për dhënien e gradës shkencore “Doktor” në UPT mban emërtimin “Këshilli i Profesorëve” dhe anëtarët e tij janë personel akademik me kohë të plotë të kategorisë “Pofesor”. Funksionimi i “Këshillit të Profesorëve” në UPT përcaktohet në “Rregulloren e Komisionit të përhershëm për dhënien e gradës shkencore ‘Doktor’ në Universitetin Politeknik të Tiranës” dhe në rregulloren e njësisë kryesore, të cilat miratohen nga SAUPT. Ky këshill miraton fushat e studimeve të doktoratës të njësive bazë, shqyrton dosjen e çdo kandidati që i paraqet njësia bazë pranë së cilës ai do të kryejë studimet e doktoratës, miraton përbërjen e jurisë së mbrojtjes së doktoratës si dhe monitoron gjithë procesin e fitimit të gradës shkencore “Doktor” të kandidatëve të njësisë kryesore, pranë së cilës ai funksionon. Këshilli i Profesorëve pas mbrojtjes së doktoratës dhe vlerësimit të jurisë merr vendimin për dhënien ose jo të gradës shkencore “Doktor”, etj.
KRITERET E PËRGJITHSHME TË PRANIMIT TË KANDIDATËVE NË STUDIMET E CIKLIT TË TRETË “DOKTORATË”
1. Diplomë universitare “Master i shkencave” në UPT;
2. Diplomë e sistemit të vjetër 5-vjeçar në UPT;
3. Master i Shkencave ose DND të fituara në institucione të tjera të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit, në përputhje me përcaktimet e bëra në programin e studimeve të doktoratës ose në rregulloren e saj.
4. Diplomat e fituara jashtë vendit duhet të ekuivalentohen përpara aplikimit, sipas akteve ligjore në fuqi të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
5. Mesatare të ponderuar të notave në ciklin e parë të studimeve (diploma Bachelor/DNP) dhe në ciklin e dytë të studimeve Master i Shkencave/DND, të programeve të integruara
të nivelit të dytë dhe të sistemit të vjetër 5-vjeçar, jo më të vogël se 8 (tetë), ose jo më pak se 80 % e pikëve totale.
6. Njohje të njërës prej pesë gjuhëve të huaja si: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, të vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare, pavarësisht nivelit të gjuhës së huaj.
7. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga pesë gjuhët e përmendura më sipër, diploma e fituar i shërben si dëshmi për plotësimin e kriterit të gjuhës së huaj.
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIMIN PËR REGJISTRIM NË STUDIMET E CIKLIT TË TRETË “DOKTORATË”
( Përmbajtja e Dosjes individuale )
1. Kërkesën e kandidatit drejtuar njësisë bazë, që është përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e studimeve të doktoratës, ku të përfshihet fusha e studimit të doktoratës, që kërkon të ndjekë dhe drejtuesi shkencor;
2. Deklaratë e drejtuesit shkencor për udhëheqjen e studimit të doktoratës, në fushën e përzgjedhur;
3. Propozim për temën e kërkimit/metodologjinë/pritshmëritë, firmosur nga udhëheqësi;
4. Letër motivimi;
5. CV personale;
6. Lista e punimeve shkencore të dokumentuara, nëse ka të tilla;
7. Kopje të noterizuar të diplomave të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë Master i Shkencave, të shoqëruara me suplementet e diplomës. Diplomat e fituara jashtë vendit duhet të shoqërohen me vërtetimin e njohjes/ekuivalentimit nga ministria përgjegjëse për arsimin;
8. Kopje të noterizuar të diplomave të ciklit të tretë “Master ekzekutiv“, diplomë specializimi, ose të diplomave ekuivalente me to, shoqëruar me suplementin e diplomës, nëse kandidati ka të tilla;
9. Fotokopje të kartës së indentitetit/pasaportës;
10. Dy fotografi;
11. Dy rekomandime nga persona me titullin akademik “Profesor” ose “Profesor i asociuar”, ku njëri prej të cilëve duhet të mbulojë fushën përkatëse të kërkimit shkencor;
12. Vetëdeklarim ku kandidati pranon të shlyejë të gjitha detyrimet financiare të studimeve të doktoratës, sipas përcaktimeve të bëra nga UPT (Kjo pikë plotësohet vetëm nga kandidatët të cilët nuk janë staf efektiv i UPT-së);
13. Dëshmi të gjuhës së huaj, sipas kornizës ligjore në fuqi;
14. Vërtetim nga qendra e punës, nëse është i punësuar;
15. Mandat pagese për tarifën e aplikimit.