Search
Close this search box.

Menu

Historiku i UPT

Historiku

Universiteti Politeknik i Tiranës, si institucion publik i arsimit të lartë, që prej hapave të parë të formimit të tij e deri më sot, është zhvilluar në harmoni me kërkesat e mjedisit shoqëror dhe atij kulturor në Shqipëri. Në dinamikën e tij të ndryshimit, UPT ka qenë shpesh herë vetë gjeneruesi dhe faktori mbështetës i krijimit të historisë së arsimit të lartë (të atij inxhinierik në veçanti), i teknologjisë, inovacionit, ekonomisë, kulturës kombëtare dhe jetës publike.

Tradita e UPT-së fillon në vitin 1951, me ngritjen e Institutit të Lartë Politeknik në Tiranë, i cili përmbante disa degë inxhinierike, si Degën e Inxhinierisë Mekanike, Degën e Inxhinierisë Elektrike dhe Degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Ky vit shënon edhe themelimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Stafi akademik i institutit përbëhej fillimisht nga pedagogë rusë dhe asistentë shqiptarë, të diplomuar në fakultete inxhinierike, kryesisht të vendeve të Evropës Lindore. Gradualisht, me rritjen e nivelit të kualifikimit dhe të specializimit, u bë e mundur krijimi i një trupe pedagogjike të përhershme me pedagogë shqiptarë.

Në vitin 1957, me Dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, Nr. 2476, dt. 03.06.1957, “Mbi krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës”, nga bashkimi i gjashtë instituteve formohet Universiteti Shtetëror i Tiranës. Ky universitet kishte në përbërjen e tij Fakultetin e Inxhinierisë të përbërë nga: Dega Mekanike, Dega Elektrike, Dega e Ndërtimit dhe Dega e Gjeologjisë, në të cilat diplomoheshin inxhinierë të përgjithshëm, sipas katër fushave përkatëse. Pranë universitetit u themelua edhe Biblioteka Shkencore. Inaugurimi i Universitetit Shtetëror u bë në 16 Shtator 1957.

Viti 1971 ishte viti i përfundimit të ristrukturimit të degëve (programeve të studimit) në Fakultetin e Inxhinierisë.  Në përputhje me kërkesat e industrisë shqiptare të asaj kohe, e cila po merrte një zhvillim relativisht të madh, në të katër degët u krijuan profile. Kjo ishte periudha e kualifikimeve të para të personelit akademik jashtë vendit, nëpërmjet specializimeve, gjë që dha ndikim të dukshëm në cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimin shkencor.

Universiteti Politeknik i Tiranës, i krijuar me VKM Nr. 215, dt. 15.7.1991, “Për riorganizimin e Universitetit të Tiranës”, kishte në përbërje të tij katër fakultete, të riorganizuara sipas degëve ekzistuese: Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Miniera.

Në vitin 1994 struktura organizative e fakulteteve të UPT-së ndryshoi dhe bashkë me të u bë edhe një rishikim i numrit dhe i përmbajtjes së programeve të studimit.

Në periudhën 1991-2005 u zhvilluan specializime të vazhdueshme të stafeve akademike dhe ndihmëse në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, si dhe filluan mobilitetet për studentët.  Gjatë kësaj periudhe u intensifikuan edhe lidhjet ndërkombëtare të UPT-së, duke u integruar në rrjetet akademike evropiane.

Viti 2005 shënoi ristrukturimin e programeve të studimit të UPT-së, bazuar në “Deklaratën e Bolonjës”. Këtë vit filloi implementimi i programeve të studimit në dy cikle: në ciklin e parë Bachelor dhe në ciklin e dytë Master, të ndarë në: Master Profesional dhe Master Shkencor. Në vitin 2009 filloi implementimi i programeve të studimit të ciklit të tretë (Doktorata).

Viti 2007 e gjen UPT-në me gjashtë fakultete. Përveç katër fakulteteve ekzistuese krijohen: Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike. Nga ana tjetër, në zbatim të Ligjit “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, Nr. 9741, dt. 21.05.2007, u bënë ndryshime në strukturën organizative të UPT-së, pasi pranë UPT-së u vendosën dy institute: Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (INEUM) dhe Instituti i Gjeo-Shkencës (INGJSH).

Në vitin 2011, me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Nr. 371, datë 28.07.2011, “Për krijimin e Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), pranë Universitetit Politeknik të Tiranës”, të dy institutet e mësipërm bashkohen në një të vetëm.

Në Janar të vitit 2013, me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Nr. 28, datë 31.01.2013, “Mbi hapjen e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, në Universitetin Politeknik të Tiranës”, u krijua Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, duke u shkëputur nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.

Në dhjetë vitet e fundit, UPT ka njohur një zhvillim mjaft të vrullshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe është përfshirë në rrjete të ndryshme akademike si: UNICA (Network of Universities from the Capitals of Europe), CMU (Community of Mediterranean Universities), BUA (Balkan Universities Association), BSUN (Black Sea Universities Network), RMEI (Réseau Méditerranéen des Ecoles d’Ingénieurs), AUF (Agence Universitaire de la Francophonie). UPT ka pranuar dhe firmosur Magna Charta Universitatum,së bashku me 903 universitete, nga 87 vende të botës.

Sot UPT ka marrëdhënie dhe memorandume bashkëpunimi me mbi 50 universitete të huaja, nga 28 vende të botës, të shtrira në tre kontinente. Ndër to mund të përmenden universitete të njohura si: Ghent University, Norwegian University of Science & Technology, Erasmus University Rotterdam, Louisiana State University, Politecnico di Milano, Università degli Studi di Firenze, Aristotle University of Thessaloniki, Università degli Studi di Genova, Dalian University of Technology, Politecnico di Torino, National Chiao Tung University, Istanbul Technical University, Université de Technologie de Compiègne, Università IUAV di Venezia, École Spéciale des Travaux Publics du Bâtiment et de l’Industrie etj.

UPT ka marrëdhënie bashkëpunimi me industrinë dhe ka krijuar lidhje me kompani prestigjioze, në vend e në rajon. Mund të përmenden marrëveshjet me: Konfindustria, Bankers Petroleum Albania, Deloitte, Lufthansa Industry Solutions, Albpetrol, KESH, HEC Vau-Dejës, HEC Ashta, Telekom Albania, Digitalb, Aluflor, Alumil Albania, Opel Noshi, Hyundai Auto Albania, Ford Albanian Motor Company etj.

Aktualisht, Universiteti Politeknik i Tiranës është i vetmi universitet inxhinierik në Shqipëri, me një histori përpjekjesh, pune, arritjesh dhe suksesesh 70 vjeçare, në përmbushje të sfidave prioritare, që lidhen me rritjen e nivelit cilësor në të gjitha aktivitetet që dikton realizimi i misionit të tij historik.

 

Universiteti Politeknik i Tiranës