Search
Close this search box.

Menu

Titujt Akademikë

UPT promovon dhe jep titujt akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar” jo vetëm për personelin akademik me kohë të plotë në UPT por dhe për Institucionit e Arsimit të Lartë publike dhe private në Republikën e Shqipërisë. Kjo e drejtë e UPT buron nga plotësimi i kritereve ligjore në fuqi, pasi:

a) ushtron veprimtari akademike dhe kërkimore-shkencore, në mënyrë të vazhdueshme, më shumë se dhjetë vite;

b) është institucion i akredituar;

c) ka të punësuar si personel akademik më shumë se 18 (tetëmbëdhjetë) anëtarë të personelit akademik që mbajnë titullin “Profesor”, me kohë të plotë, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar, si dhe ka 5 (pesë) pedagogë me kohë të plotë që mbajnë titullin “Profesor” në çdo njësi kryesore. Pedagogë me kohë të plotë që mbajnë titullin “Profesor” në njësinë kryesore, konsiderohet personeli akademik, i cili merr pjesë aktive në programet e studimit dhe/ose të kërkimit shkencor të njësisë kryesore respektive;

d) ofron programe studimi të ciklit të tretë “Doktoratë”;

e) përmbush kritere të tjera shtesë, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

UPT mbështet në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm kualifikimin e vazhdueshëm të stafit të tij akademik por inkurajon dhe bën përpjekje, që të sigurojë bashkëpunim me institucione të tjera homologe në vend, me qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe aftësive shkencore-kërkimore të stafeve të tyre akademike duke kontribuar në promovimin e kërkimit shkencor në nivel kombëtar e më gjerë.

Procedura e promovimit dhe dhënies së titujve akademikë përcaktohen në “Rregulloren për fitimin e titujve akademikë në Universitetin Politeknik të Tiranës” dhe në “Rregulloren e Komisionit për Promovimin e Personelit Akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës”.

Standardet shtetërore minimale për fitimin e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar“, përcaktohen në kornizën ligjore në fuqi. Standardet specifikë shtesë për fitimin e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar“, përcaktohen në “Rregulloren për fitimin e titujve akademikë në Universitetin Politeknik të Tiranës”.

Organi përgjegjës për dhënien e titujve akademikë “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor” në Universitetin Politeknik të Tiranës është Komisioni për Promovimin e Personelit Akademik (KPPA). Komisioni i Përhershëm i Promovimit të Titujve Akademikë (KPPA) në Universitetin Politekinik të Tiranës ka në përbërjen e tij 9 (nëntë) anëtarë, ku çdo njësi kryesore është e përfaqësuar. Anëtarët e KPPA në UPT vetëkandidohen dhe përzgjidhen nga SAUPT për një mandat dyvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata mbajnë titullin akademik “Profesor”.

Universiteti Politeknik i Tiranës