Më datë 29 shtator 2025, midis Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi.
Marrëveshja ka për qëllim vendosjen e një kuadri bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve për ruajtjen, digjitalizimin, promovimin dhe shkëmbimin e materialeve filmike, fotografike, historike dhe kulturore që kanë lidhje me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe filmimet me karakter edukativ e studimor që janë kryer nga laboratori i fotografisë dhe filmit të universitetit.
Në këtë kuadër, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të bashkëpunojnë për identifikimin dhe ruajtjen e materialeve audiovizive që disponon UPT, si dhe krijimin dhe ruajtjen e fondit të UPT-së në AQSHF.
Bashkëpunimi midis dy institucioneve përfshin:
- Identifikimin e materialeve arkivore audiovizive të UPT që mund të arkivohen, ruhen dhe digjitalizohen në AQSHF.
- Kërkimin dhe rikuperimin e materialeve filmike të trashëguara nga strukturat universitare të periudhave të mëhershme.
- Përdorimin e materialeve të AQSHF-së nga UPT për qëllime studimore, ekspozimi, prodhime dokumentare dhe projekte muzeale.
- Krijimin e fondit të UPT në AQSHF, me materiale filmike 16 dhe 35mm që disponon universiteti dhe kalimin e tyre në vendruajtjet e filmit në AQSHF, me qëllim ruajtjen afatgjatë dhe digjitalizimin e tyre.
- Organizimin e ekspozitave, aktiviteteve kulturore dhe shfaqjeve filmike për publikun.
Nga Universiteti Politeknik i Tiranës marrëveshja u nënshkrua nga rektori i këtij universiteti, Profesor Doktor Akli Fundo dhe nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit marreveshja u nënshkrua nga drejtori i këtij institucioni, Z. Eljan Tanini.