Vizita zyrtare e Rektorit të Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Akli Fundo, në Palazzo Adriano shënoi një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Politeknik të Tiranës, Bashkisë së Palazzo Adriano dhe Universitetit të Palermos, në funksion të promovimit të trashëgimisë arbëreshe dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta akademike e kërkimore.
Me ftesë të Bashkisë së Palazzo Adriano, më 4 korrik 2026, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Akli Fundo, mori pjesë në ceremoninë solemne kushtuar albanologut të shquar Prof. Ignazio Parrino, një prej personaliteteve më të rëndësishme të studimeve mbi historinë, gjuhën dhe kulturën arbëreshe.
Aktiviteti u zhvillua në Muzeun Qytetar “Real Casina”, ku u inaugurua salla që tashmë mban emrin e Prof. Ignazio Parrino, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet albanologjike dhe në ruajtjen e trashëgimisë arbëreshe. Ceremonia u pasua nga një konferencë shkencore kushtuar trashëgimisë akademike të Prof. Parrino dhe perspektivave të reja të kërkimit mbi historinë, gjuhën dhe kulturën arbëreshe.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve italiane dhe shqiptare, studiues, akademikë dhe përfaqësues të komuniteteve arbëreshe, ndër të cilët Rektori i Universitetit të Palermos, Prof. Massimo Midiri, Kryetari i Bashkisë së Palazzo Adriano, z. Nicolò Grana, Ipeshkvi i Eparkisë së Piana degli Albanesi, Imzot Raffaele De Angelis, si dhe personalitete të tjera të botës akademike dhe kulturore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Prof. Dr. Akli Fundo vlerësoi figurën dhe veprën shkencore të Prof. Ignazio Parrino, duke theksuar se kontributi i tij në dokumentimin dhe promovimin e historisë së komuniteteve arbëreshe përbën një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
“Universiteti Politeknik i Tiranës është i gatshëm të vërë në dispozicion kompetencat e tij për projekte studimore dhe kërkimore kushtuar njohjes, dokumentimit, vlerësimit dhe rigjallërimit të trashëgimisë historike, kulturore, arkitekturore dhe urbanistike të Palazzo Adriano. Ne besojmë se bashkëpunimi akademik është instrumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e dijes, promovimin e inovacionit dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet popujve tanë.”
– Prof. Dr. Akli Fundo, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës
Gjatë vizitës në Palazzo Adriano, delegacioni i Universitetit Politeknik të Tiranës zhvilloi takime me drejtues të Bashkisë, përfaqësues të Universitetit të Palermos dhe anëtarë të komunitetit arbëresh. Në këto takime u diskutua mbi ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore arbëreshe, si dhe mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe projekteve kulturore.
Palët shprehën vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin ndërmjet Universitetit Politeknik të Tiranës, Bashkisë së Palazzo Adriano dhe Universitetit të Palermos, duke nxitur zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, organizimin e konferencave shkencore dhe aktiviteteve kushtuar trashëgimisë arbëreshe.
Universiteti Politeknik i Tiranës e konsideron bashkëpunimin me institucionet italiane një prioritet të rëndësishëm të strategjisë së tij të ndërkombëtarizimit. Vizita në Palazzo Adriano konfirmoi edhe një herë angazhimin e UPT-së për të kontribuar në ruajtjen, studimin dhe promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore shqiptaro-italiane, duke forcuar lidhjet akademike me partnerët në Itali.


