Agjensia Startup Albania, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës do të organizojnë një sesion informues për studentët dhe stafin akademik, për mundësinë e financimit të ideve novatore nëpërmjet masave mbështetëse me Grante për startup-et në vendin tonë.
Agjensia Shtetërore Startup Albania, një institucion nën vartësinë e Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, ka si mision zhvillimin e ekosistemit sipërmarrës nëpërmjet inkurajimit të sipërmarrësve dhe të investitorëve, si dhe politikave lehtësuese që synojnë të rrisin konkurencën ekonomike të ekosistemit shqiptar nëpërmjet inovacionit.
Strategjia e Agjensisë është e ndarë në tre shtylla kryesore: 1. Sipërmarrja Inovative, 2. Sektorët Strategjik, 3. Zhvillimi Gjithëpërfshirës.
Në funksion të misionit, Agjensia do të mbështesë zhvillimin e startup-ve shqiptare nëpërmjet një fondi prej 300 milion lekësh. Shpallja e Grante 2024 për mbështetjen e startup-ve është hapur më 16 Shkurt 2024 dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 24 mars. Fondi është i ndarë në tre kategori me financimin përkatës si më poshtë:
Faza 1 – deri në 1,5 mln lekë. Financohen individë privatë, nomadët dixhitalë që kanë plane të ndërtojnë operacionet në Shqipëri.
Faza 2 – deri në 4,5 mln lekë. Financohen kompani të regjistruara në regjistrin tregtar në Shqipëri, të cilat tregojnë një prototip, bazë klientësh dhe potencial zhvillimi produkti/shërbimi.
Faza 3 – deri në 9 mln lekë. Financohen kompani të regjistruara në regjistrin tregtar në Shqipëri, me një shërbim/produkt funksional, bazë klientësh, aktivitet ekonomik të vërtetuar dhe potencial rritje të shpejtë brënda dhe jashtë Shqipërisë.
Për informim të studentëve dhe stafit të Universitetit Politeknik të Tiranës lidhur me mundësitë që agjensia ofron për të mbështetur idetë inovatore të studentëve dhe stafit akademik, ditën e premte, datë 8 mars 2024, ora 10.00, në sallën Silvano Pedrollo të UPT – së do të mbahet një takim informues nga Agjensia Shtetërore Startup Albania.
Janë të ftuar të marrin pjesë në takim studentë dhe staf nga Universiteti Politeknik i Tiranës.