Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Profesor Andrea Maliqari, priti Ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Znj. Kikuko KATO, më datën 24 Prill 2024, në vizitën e saj të parë në ambientet e UPT.
Universiteti Politeknik i Tiranës ka një histori të gjatë bashkëpunimi me Japoninë dhe universitetet japoneze. Ambasadat respektive të dy vendeve ne bashkëpunim me UPT-në kanë luajtur një rol kyç në forcimin dhe zhvillimin e shkëmbimeve akademike mes Shqipërisë dhe Japonisë.
UPT-ja është institucioni i vetëm arsimor në Shqipëri ku ofrohet mësimi i gjuhës japoneze si pjesë e programeve të saj. Ambasada Japoneze ka dhuruar pajisjet për Laboratorin e Gjuhës Japoneze në vitin 2019, në mbështetje të interesit të studentëve të UPT për gjuhën dhe kulturën japoneze. Ky laborator është shndërruar në një qendër për zhvillimin e mëtejshëm të shkëmbimeve akademike dhe për lidhjen e studentëve me gjuhën dhe kulturën japoneze.
Gjatë vizitës në UPT, Rektori Maliqari dhe Ambasadorja KATO vizituan Laboratorin e Gjuhës Japoneze, i cili është furnizuar me materiale didaktike dhe të mësimit në gjuhën japoneze-shqipe për të ndihmuar studentët. Po ashtu, janë realizuar projekte të tjera me Japoninë, duke përfshirë botime me Japan Foundation dhe dhurimet e librave me Nipon Foundation, me koordinimin dhe mbështetjen e Ambasadës Japoneze.
Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ambasada Japoneze ranë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit në ofrimin e bursave për studentët e UPT, shkëmbimet akademike dhe studentore, si dhe për mundësinë e certifikimit të gjuhës japoneze në UPT.