Dy profesorë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Prof. Altin Dorri dhe Prof. Majlinda Alcani, morrën pjesë në Javën Ndërkombëtare të Trajnimit të Stafit (16 – 20 dhjetor 2024), të mbajtur në
Universitetin e Tuscias (UNITUS), Itali.
Fokusi parësor i javës së trajnimit ishte forcimi i ndërkombëtarizimit dhe eksplorimi i strategjive për zgjerimin e bashkëpunimit mes UNITUS-it dhe universiteteve të tjera partnere, ndër të cilat është edhe Universiteti Politeknik i Tiranës. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike me Universitetin e Tuscias ka një diplomë të përbashkët, në Inxhinieri Mekanike, Profili i energjisë. Në kuadër të diplomës së dyfishtë, pati disa diskutime, si për bashkëpunimin e deritanishëm ashtu edhe për ecurinë e projektit në të ardhmen, si:
• Rishikimi i strukturës dhe përfitimeve të programit ekzistues të diplomës së dyfishtë.
• Ndarja e njohurive për përmirësimin e lëvizshmërisë së studentëve dhe rritjen e shkëmbimit të stafit akademik.
• Eksplorimi i mundësive të reja për projekte të përbashkëta kërkimore dhe bashkëpunime në fushën e energjisë dhe inxhinierisë mekanike.