Në kuadër të nisjes së projektit Web Challenge Tirana, të Bashkisë Tiranë, si edhe të ndryshimit të fundit të Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 188, datë 13.03.2019 “Për ofrimin nga institucionet publike të arsimit të lartë të shërbimeve, në përputhje me veprimtarinë e tyre, për institucionet e qeverisjes qendrore dhe institucionet në varësi të tyre”, Bashkia Tiranë ka drejtuar këtë kërkesë pranë UPT.
Drejtoria e Trajnim Zhvillimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse administron për herë të parë projektin Web Challenge Tirana. Ky projekt bën të mundur që 12 rinj të zhvillojnë aftësitë dixhitale dhe specifikisht aftësitë programuese, përmes zhvillimit të plotë (ide, skicim, modelim i elementeve funksionale (wireframing), vlerësim i fizibiliteti teknik, zhvillim prototipit, dizenjim, ndërtim, testim) dhe vënie në përdorim të faqeve të internetit për qytetarët e Tiranës, gjatë një periudhe praktike 3 (tre) mujore pranë Bashkisë Tiranë.
Aplikimet për të rinjtë janë të hapura më datat 31 tetor – 9 dhjetor pranë faqes https://tirana.al/faqe/web- challenge-tirana. (Në faqen e upt.edu.al është publikuar thirrja për studentët më datë 5.11.2024) Në këtë konkurs ftohen të marrin pjesë të rinj të grupmoshës 18-25 vjeç të cilët janë në përfundim të arsimit të mesëm (profesional apo të përgjithshëm), duke ndjekur studimet e shkollës së lartë, ose kanë përfunduar studimet, në institucionet e arsimit të mesëm apo të lartë publike ose private, brenda ose jashtë vendit, në këto fusha studimi: shkenca kompjuterike, teknologji informacioni dhe komunikimi, informatikë, informatikë ekonomike, inxhinieri matematike dhe informatike, të ngjashme.
Në përfundim të aplikimeve, ato vlerësohen nga Komiteti Vlerësues dhe nga Bordi Drejtues i projektit (i përbërë nga Nënkryetar dhe Drejtor i BT). Gjatë praktikës të rinjtë do të trajnohen, do të ndiqen dhe mentorohen nga 2 trajnerë ekspertë të fushës.
Për këtë arsye dhe në kuadër të VKM së lartpërmendur, nga Bashkia Tiranë kërkohen disa oferta për shërbimin si “Trajner dhe Ekspert Vlerësues” me personat e përzgjedhur nga UPT/FTI, CV dhe vërtetim për kualifikimet, pagesat për secilin.
Kriteret për këtë shërbim do të jenë:
2 (dy) ekspert vlerësues dhe trajner, të jenë njohës të gjuhës shqipe, të kenë zotësi juridike për të vepruar, të zotërojnë diplomë të paktën të nivelit Master Shkencor në fushën: shkenca kompjuterike, teknologji informacioni dhe komunikimi, informatikë, informatikë ekonomike, inxhinieri matematike dhe informatike apo të ngjashme, të kenë të paktën 2 vite eksperiencë pune në këto fusha, të zotërojnë certifikime ose kualifikime në lidhje me fushën e programimit, të kenë aftësi të mira komunikimi.
Detyrat që do të kryejë secili ekspert trajner:
– 1 ditë si Ekspert Vlerësues, për të vlerësuar projektet e aplikantëve;
– Propozon pranë Bordit Drejtues tre faqet e internetit më të mira për t’u zhvilluar nga praktikantët;
– Ofron 1 trajnim mbi gjuhë programimi dhe 2 ditë mentorim/coaching;
– Ofron përgatitjen e modulit të trajnimit;
– Këshillim i vazhdueshëm
Secili person do të kryejë funksionin edhe si ekspert vlerësues edhe si trajner. Secili trajner do të japë 1 trajnim mbi një gjuhë programimi për ngritjen e website, 2 ditë coaching/mentorim dhe këshillim sipas nevojës për praktikantët fitues.
Për shkak të afateve të projektit, ofertat ju lutemi deri më datën 12 nëntor.
Për çdo pyetje mund të kontaktoni me mail: natali.shkembi@tirana.al
