Universiteti Politeknik i Tiranës do marrë pjesë tek Panairi i 5-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor zhvillohet këtë vit në Tiranë, në datat 22-24 prill, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Panairi synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare si dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.
Ky panair, i kthyer tashmë në traditë, edhe në këtë edicion të pestë, do të bëjë bashkë botimet shkencore, autorët e tyre, ente botuese, universitete, institute, institucione e qendra kërkimore nga e gjithë hapësira shqiptare, në shërbim të promovimit të këtyre botimeve dhe lehtësimit të rrugës së librit akademik dhe shkencor drejt lexuesit.
Tri ditët e panairit do të mundësojnë jo vetëm ekspozimin e librit në stenda të dedikuara për të gjitha institucionet pjesëmarrëse, por edhe promovime të arritjeve në nivel akademik përmes paraqitjes së botimeve më të reja.
Programin e panairit e gjeni këtu.
Vizitoni Panairin e 5-të mbarëkombëtar
të librit akademik dhe shkencor, 2026!
Tek Akademia e Shkencave të Shqipërisë!



