Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT) mirëpriti në datë 2 Korrik 2026 një delegacion nga Universiteti Politeknik i Torinos (POLITO), në kuadër të forcimit të bashkëpunimit akademik dhe zgjerimit të partneriteteve ndërkombëtare.
Delegacioni i POLITO-s, universitet me të cilin UPT-ja ka ndërtuar një bashkëpunim të suksesshëm në shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, përbëhej nga Prof. Alberto Sapora, Zëvendësrektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Prof. Fabrizio Barpi, Përfaqësues për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i Departamentit të Inxhinierisë Strukturore, Gjeoteknike dhe të Ndërtimit, si dhe z. Mario Ravera, drejtues në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Nga ana e Universitetit Politeknik të Tiranës, në takim morën pjesë Zëvendës-rektorja Prof. Elfrida Shehu, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof. Neritan Shkodrani, Zëvendës-dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Dr. Nelda Kote, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike prof. Genti Guxho, përgjegjësi i Departamentit të Inxhinierisë Kimike Prof. Asoc Edlira Baraj, prof. Igli Kondi nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof. Asoc. Joan Jani përfaqësues i Drejtorisë së Projekteve Shkencore në UPT, si edhe Drejtori i Drejtorisë së Komunikimit dhe Koordinimit Z. Robert Kodra.
Takimi nisi me prezantimin e dy universiteteve, strukturave të tyre akademike, veprimtarisë kërkimore dhe angazhimit në procesin e ndërkombëtarizimit. Gjatë diskutimeve u evidentuan fushat me interes të përbashkët dhe u hodhën bazat për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Palët diskutuan mundësitë për zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimit, hartimin dhe zbatimin e projekteve për ngritjen e kapaciteteve, realizimin e nismave të përbashkëta kërkimore, si dhe zgjerimin e mobilitetit të studentëve, stafit akademik dhe administrativ. Gjithashtu, u dakordësua organizimi i takimeve të mëtejshme për konkretizimin e këtyre iniciativave dhe hartimin e një plani të përbashkët bashkëpunimi.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Politecnico di Torino, duke rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për promovimin e ekselencës akademike, kërkimit shkencor, inovacionit dhe ndërkombëtarizimit.


